Panairi i Punës 2016 zhvillohet me interesin e veçantë të Kryeministrit Z. Edi Rama dhe Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Z. Blendi Klosi.

Panairi I Punës do të zhvillohet nga data 28 – 30 prill 2016, në Pallatin e Kongreseve, Tiranë.

Panairi i Punës është vendi ku bashkohen të gjithë aktorët e tregut të punës. Ku konkretizohet përpjekja e punëdhënësit dhe punëmarrësit për të gjetur mënyra të vlefshme të plotësimit të vendeve të lira të punës. Mundësia që punëdhënësit të zgjedhin mes aplikantëve, do të gërshetohet me mundësinë për të krahasuar ofertat e tyre me ofertat e ndryshme që do të shpallen në panair.

ÇFARË DO TË GJENI NË KËTË PANAIR?

Në këtë panair do të prezantohen nismat e qeverisë dhe partnerëve socialë duke prurë vizionin dhe politikat e tyre në lidhje me zhvillimet në tregun e punës, nevojat për aftësi, zhvillimin e karrierës, etj.

Fokusi i panairit është që të themelojë një simbiozë mes ekspozitës dhe forumit.

Nga njëra ane ekspozitat:

Kompanitë do e zënë vendin kryesor duke shpallur vendet e lira të punës sipas kritereve përkatëse, mënyrat e rekrutimit dhe sistemet e tyre të karrierës.
Ofruesit e formimit profesional, shkollat profesionale, universitetet, si pjesë funksionale e tregut të punës do të prezantojnë aktivitetin e tyre si dhe do të sjellin të rejat e fundit për zhvillimin e aftësive.

Nga ana tjetër konferencat dhe forumet:

Ekspozuesit kanë mundësinë që të demonstrojnë dhe shpjegojnë ofertat e tyre, jo vetëm brenda stendave. Ky model tërheq gjithashtu edhe vizitorët që duan të ndjekin prezantimet dhe diskutimet e paneleve. Ekspozuesit mund të marrin pjesë aktivisht në konferencë, duke rezervuar mbajtjen e leksioneve dhe prezantimeve, lidhur me shërbimet, rekrutimin, konsultimin dhe trajnimin profesional të burimeve njerëzore.

Jeni të mirëpritur që të vizitoni Panairin e Punës 2016 !

PSE DUHET TE MARRIM PJESE NE PANAIR OSE TA VIZITOJME ATE?

Sepse Panairi i Punës:

Është një mënyrë e shkëlqyer për të gjithë ata që kërkojnë të punësohen për tu takuar direkt me punëdhënës;
Është një nga mënyrat më efikase për kompanitë të shpalosin politikat e tyre në zhvillimin e burimeve njerëzore dhe të plotësojnë vendet e lira të punës;
Është një nga mënyrat më efikase për të gjithë, për të mësuar më shumë rreth punëdhënësve që veprojnë në treg;
Është treguesi real i ofertës për vende pune dhe i nevojës për ndërhyrje në treg;
Është një mundësi për të gjithë punëkërkuesit e kualifikuar, emigrantëve të kthyer, të sapo diplomuarve, për tu njohur me çfarë ofron tregu i punës në vend;
Është tregues real i nivelit aktual të arsimit dhe formimit profesional dhe përputhjes së tij me kërkesat e tregut të punës;
Është një mënyrë për të ndërtuar bashkëpunime direkt ndërmjet kompanive pjesëmarrëse; Garanton fushatë publicitare, në media vizive e të shkruara.